Kronikë

Pesë të arrestuar pasi vodhën 36 mijë euro dhe stoli ari në vlerë 8 mijë euro

Pas hetimeve intensive, hetuesit policorë të sektorit rajonal të hetimeve Ferizaj, kanë identifikuar pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”, rast ky i ndodhur me datë 03.11.2019 në fshatin Sazli, Ferizaj.

“Hetuesit policorë gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e kësaj vepre penale.Të dyshuarit, A.XH. (m/sh/k 19 vjeç), A.M. (m/sh/k 16 vjeç), I.M. (m/sh/k 30 vjeç ) , A.TH. (m/sh/k 24 vjeç) dhe A.TH. (f/sh/k/ 30 vjeçare, më datën 03.11.2019,në bashkëveprim, me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës A.M. nga ku kanë vjedhur 36.000 euro dhe stoli ari në vlerë 8.000 euro”, thuhet në raportin policor.

Gjatë hetimeve është gjetur një sasi e të hollave të vjedhura të cilat i kishin ndarë mes veti, si dhe të dyshuarit kanë pranuar se stolitë e arit i kanë shitur.

“Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprën e kryer”, thuhet në raport.

Ndaj katër të dyshuarve, në konsultim me prokurorin e shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj të dyshuarit të mitur 24 orë.