Familja e Milazim Muratit që u plagos në Medvegjë insiston se ai ishte në tokën e vet

Leonita Bajrami 30 October 2019 19:18

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për plagosjen e së martës në pikën kufitare me Serbinë.

Milazim Murati u plagos me armë zjarri, derisa po priste drunj në fshatin Gërbac të Medvegjës, zonë kjo në Serbi. Policia, për KTV-në, ka konfirmuar se për rastin ka kontaktuar edhe me Policinë e Serbisë dhe organet tjera ndërkombëtare në Kosovë, raporton KTV.

Familja e shtetasit kosovar, i cili gjithashtu ka nënshtetësi të Serbisë, por së fundmi janë zhvendosur për të jetuar në Kamenicë, insistojnë se prona është e familjes së tyre dhe s’është pronë shtetërore.

Naim Murati thotë që vëllai i tij u qëllua nga policë serbë. Mjekët thonë se gjendja e Milazim Muratit, tashmë është stabile.

Ky nuk është rasti i parë i problemeve të tilla në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë.

Në fshatin Uglar, në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë, në vitin 2011, ishte vrarë një 14-vjeçar, i cili po priste dru në mal bashkë me familjarë të tij.

Një vit më vonë, derisa po patrullonin në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe arrestoi dhe prangosi dy policë të uniformuar të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme