Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim tre persona për tentimvrasjen e para dy vjetëve në Pejë.
Sipas një njoftimi nga Themelorja në Pejë, të pandehurit G.H., Rr.H., dhe Rr.H., janë dënuar me burgim në total prej tetë vjetësh, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Në sqarim të rastit bëhet e ditur se më 7 qershor 2017, në mesditë, pas marrëveshjes paraprake, si bashkëkryes, të pandehuriot kishin tentuar t’i vrasin N dhe B.K. dhe me këtë rast kishin qëlluar edhe persona të tjerë, B.R. dhe G.L.
Katër të arrestuar për plagosjet në Pejë
Rasti kishte nisur kur i dëmtuari B.K. dhe të pandehurit kishin pasur një fjalosje që kishte të bënte me renovimin e lokalit të të pandehurit G.H.. Me këtë rast, G.H. kishte shkuar te vetura përballë kafeterisë dhe kishte nxjerrë një pushkë automatike dhe nga mesi i rrugës kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarve duke zbrazur 17 plumba, e me këtë rast ishin lënduar edhe dy kalimtarë të rastit, G.L. me plagë në këmbën e djathtë në dy vende, dhe e dëmtuara B.R. në këmbën e majtë. Në të njëjtën kohë i pandehuri RR.H. që ishte i ulur afër të dëmtuarve, në tavolinën tjetër, kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit N.K. katër herë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Edhe i pandehuri tjetër Rr.H. në atë moment kishte dalë nga vetura me pistoletë dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit B.K. të cilin e kishte lënduar në anën e dajthtë të trupit.
Pas veprës, sipas Themelores, të pandehurit kishin ikur me veturë.
“Me këto veprime të pandehurit si bashkë kryes, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 179 par.1 pika 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së si dhe veprën penale mbajtja në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
G.H. është dënuar me tre vjet e dy muaj burgim, ku i llogaritet koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet. Të njëjtin dënim mori i pandehuri tjetër me inicialet RR.H. Ndërsa i pandehuri i tretë u dënua me dy vjet e dy muaj burgim. Edhe te ky llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.
Të pandehurit obligohen që secili veç e veç gjykatës t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej dyqind euro ndërsa në emër të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë euro si dhe shumën prej pesëdhjetë euro për kompensimin e viktimave të krimit, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.