Kronikë

Një muaj paraburgim gjilanasit për “kontrabandim me migrantë”

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit K. Sh.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 19.10.2019, i pandehuri me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare, ka organizuar transportimin në mënyrë ilegale të dëmtuarit R. O., për në shtetin e Belgjikës, nga i cili më pas do të merrte shumën prej 3.500 Euro me të arritur në destinacionin e caktuar”, thuhet në komunikatë.

Pas veprimeve të zyrtarëve policorë, i pandehuri është arrestuar në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

“Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘kontrabandimi me migrantë” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.

Gjykata njofton se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​