Kronikë

Një muaj paraburgim prizrenasit që rrahu sistematikisht bashkëshorten

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh të pandehurit me iniciale A.L nga fshati Piranë, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, lidhur me veprën penale “dhuna në familje” si dhe veprës penale “kanosje” lidhur me veprën penale “dhuna në familjen”.

A.L. dyshohet se me datë 10.10 .2019, në orë të pavërtetuar në fshatin Piranë, Komuna e Prizrenit, “saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët i pandehuri ushtron dhunë të vazhdueshme sistematike ndaj bashkëshortes së tij, dhe atë në prani të prindërve të tij, duke e keqtrajtuar fizikisht, ku fillimisht e godet me rrip të pantallonave në pjesë të ndryshme të trupit, me të cilat veprime të dëmtuarës i shkaktohen lëndime të dukshme trupore të konstatuar nga raporti mjekësor i Shërbimit Urgjent”.

Gjykata Themelore e Prizrenit thotë më tej se i pandehuri “seriozisht e kanos të dëmtuarën-bashkëshorten e tij me iniciale N.SH., me qëllim frikësimi ose të shkaktimit të ankthit, me ç’rast tek e dëmtuara shkakton frikë, ankth dhe pasiguri”.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 11.10.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 10.11.2019.