Në Ferizaj, Pejë, Vushtrri, Obiliq e Gjilan janë arrestuar tetë të dyshuar për dhunë në familje.
Katër persona janë arrestuar dje në Ferizaj për dhunë në familje, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes veti, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje.
Kurse në Pejë viktima, grua shqiptare, ka raportuar se është sulmuar fizikisht më 16 shtator nga i dyshuari, burrë shqiptar.
“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, bën të ditur PK.
E në Vushtrri është arrestuar dje një burrë me dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimave femra. Nuk raportohet për të lënduar, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet, rasti në procedurë të rregullt.
Në Obiliq një burrë është arrestuar më 16 shtator me dyshimin se i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër K-Shqiptare ku i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.
Policia bën të ditur se në Gjilan është arrestuar dje një burrë pasi që pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën (bashkëshorten e tij) femër K-Shqiptare.
“Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në komunikatë.