Kronikë

Mbi katër vjet burg për sulm fizik

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale K.K. nga fshati Karashengjergj, Komuna e Prizrenit për shkak se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Të akuzuarin me iniciale K.K , gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj, në të cilin dënim masa e paraburgimit të njëjtit i vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

“Me datën 27 korrik,2018 rreth orës 11.35 minuta në fshatin Karashingjergj – Has, Komuna e Prizrenit, të pandehurit në bash kryerje me mjet të rrezikshëm i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor personit tjetër e pikërisht të dëmtuarit me iniciale E.K. në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake në mes familjes së të pandehurve dhe të dëmtuarit, e cila kishte ndodhur 25 vjet më parë, e në momentin kur e vërejnë të dëmtuarin me iniciale E.K.i cili ka qenë i shoqëruar me të dëmtuarin me iniciale L.K.e ndjekin me automjet, në vendin e quajtur ‘shtëpia e Çokës’ ,zbresin nga automjeti dhe nisen në drejtim të dëmtuarit me iniciale E.K. ku i pandehuri K. e godet me grusht në fytyrë të dëmtuarin me iniciale E.K., i pandehuri me iniciale F. I. pajisur me një gur e godet të dëmtuarin me iniciale E.K. në pjesën e pasme të kokës me ç ‘rast të dëmtuarit i shkaktojnë thyerje të ashtit të hundës dhe plagë lacerokontuzive në kokë, hematom periorbital në të dy sytë, hematomë dhe gjakderdhje nga hunda, frakurën e kockës së hundës, të kualifikuar në lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë”, thuhet në njoftim.