Zbardhet dëshmia e Ahmet Ajetit, personi që dyshohet se do vriste Lulzim Berishën në Durrës, por dështoi. Ahmet Ajeti akuzohet se ka tentuar që të vrasë Lulzim Berishën në vitin 2005, ndërsa është dënuar me 20 vite burg në mungesë. Gjykata e ka rikthyer çështjen për gjykim për shkak të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Paragjykatës, Ajeti u shpreh se u vetëplagos, vetëm që të mos kryente vrasjen. Ai flet edhe për dy personat që i çuan fotografinë e Lulzim Berishës.
“Erdha në Tiranë bashkë me Osman Korpuzin. U afruam në një ndërtesë dhe kërkuam punë. Ata na thanë që kishin punë për ne. Më pas jemi nisur drejt Durrësit ku ata na kanë dërguar në një hotel ku na thanë se është i joni.
Të nesërmen ata erdhën prapë dhe na sollën një armë bashkë me një fotografi dhe na thanë këtë person do ta vrisni. Më shumë biseduan me Osmanin ata të dy personat, por ne nuk donim të bënim vrasje ata na thanë që s’keni shpëtim pa kryer veprën penale.
Une vendosa të vetë sakrifikohesha. Kur Osmani doli për të blerë cigare unë mora armë dhe në të hyrë të pallatit u vetëplagosa në anën e majtë, në bark. U vetëplagosa pasi nuk doja të kryeja vrasje kisha ardhur në Shqipëri për punë pasi jam kryefamiljar dhe vëllanë e kam invalid të luftës. Në spital erdhën dy personat, dhe më thanë që nëse flet vëllain nuk do ta shikosh më.
Më mori policia në pyetje dhe në një ndërtesë na ka ruajtur një polic, pasi më kishin marrë në ruajtje. Policisë i thashë që jam përplasur në një sherr banal me disa persona dhe ata më plagosën. Na ka shoqëruar polici që na ruante bashkë me vëllain. Na shoqëroi deri në dalje të Durrësit dhe u larguam”, – tha Ajeti para gjykatës/Mapo.