Kronikë

Mbi 25 vjet burgim personave që planifikuan sulme terroriste brenda e jashtë Kosovës, përfshirë sulmin ndaj KFOR-it

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarve Bujar Behramin, Resim Kastratin, Gramos Shabanin, Albert Ademajn, Leotrim Musliun dhe Edona Halitin për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Ata akuzohen se kishin planifikuar të sulmonin një kishë, dy diskoteka, si dhe të kryenin sulme tjera ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it. Të akuzuarit janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me 25 vjet e 9 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Bujar Behrami është dënuar me 10 vjet, Besim Kastrati me 4 vjet burgim, Resim Kastrati e Gramos Shabani me nga 7 vjet, Edona Haliti një vit, kurse me 1 vit e 6 muaj është dënuar Albert Ademaj si dhe me 2 vjet e 3 muaj është dënuar Leotrim Musliu.

Të dënuarit gjatë seancave, kishin mohuar pretendimet e Prokurorisë duke thënë se nuk kishin planifikuar asnjë sulm terrorist, si brenda, ashtu dhe jashtë Kosovës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës gjashtë të akuzuarit kishin paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën Veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Gjeni të plotë vendimin e Gjykatës Themelore për secilin të akuzuar:

I akuzuari B.B. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) viteve për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 par. 1 lidhur me veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit neni 138 par. 1 KPRK-së.

I akuzuari R.K. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) viteve për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I akuzuari G.SH. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) viteve për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1 lidhur me veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 136 par. 1 të KPRK-së dhe veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 të KPRK-së.

E akuzuara E.H. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 par. 1 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 136 par. 1 të KPRK-së.

I akuzuari A.A. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Mos lajmërimi i përgatitjes se veprave penale nga neni 385 par. 2 nën par 2.4 të KPRK-së.

I akuzuari L.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 3 (tre) muaj për veprën penale Mos lajmërimi i përgatitjes se veprave penale nga neni 385 par. 2 nën par 2.4 të KPRK-së dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar te armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Të akuzuarve B.B., R.K. dhe G.SH. konform nenit 367 par.2 dhe 3 lidhur me par.1 pika1.1 KPP-së iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ndërsa të akuzuarve A.A. dhe L.M. konform nenit 367 par.1 pika 1.2 të KPPRK-së, iu është ndërprerë masa e paraburgimit sot me datë 04.09.2019. Po ashtu konform nenit 69 par.1 të KPRK-së, ndaj të akuzuarit B.B është shqiptuar edhe dënimi plotësues konfiskimi i shumës së të hollave prej 9,001.46 euro, të cilat kanë qenë të dedikuara për financim të terrorizmit e të sekuestruara sipas urdhëresës së kësaj gjykate.

Nga i akuzuari L.M. konfiskohen armët e zjarrit, një pushkë automatike me nr. serik: 53815 me dylbi (rusian 50:50) si dhe 40 fishek të kalibrit 7.65 mm.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.