Kronikë

Nga një muaj paraburgim grabitësve që morën 1000 euro në një pompë të derivateve në Xërxë

Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve M.Sh. dhe B.Z., nën dyshimin për veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të pandehurit dyshohet se më 29 gusht 2019 kishin kryer grabitje në një pompë të derivateve në fshatin Xërxë të Rahovecit. Aty të pajisur me armë zjarri dhe me një automjet me targa të falsifikuara, të maskuar dhe nën kërcënim të armëve, kishin marrë 1000 euro nga arka, dhe nga xhepi i të dëmtuarit D.M. kishin marrë 100 euro, para se të iknin në drejtim të panjohur.

Është bërë e ditur se me rastin e kontrollit dhe bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, të dyshuarit M. Sh. janë gjetur një pushkë e tipit “Shoot gun” dhe një revole e tipit “TT”.

Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 30 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2019, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.