Kronikë

30 ditë paraburgim për mosdhënie të ndihmës personit në rrezik

Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar të martën se Departamenti i Përgjithshëm ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ai nuk i ka ofruar ndihmë personit që kishte jetën në rrezik, shkruan sot Koha Ditore.

“Me datë 24.08.2019, në ora 12:20, në Pejë, i pandehuri nuk i ofron ndihmë personit, jeta e të cilit ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten apo tjetrin. Ky mosveprim ka rezultuar me vdekjen e personit të akuzuar në atë mënyrë që pasi që i pandehuri ishte takuar me viktimën për të pirë kafe, e me të cilën kishte bashkëjetuar për tre muaj në fillim të vitit 2019, të njëjtën e kishte marrë me veturë dhe derisa asaj i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore në veturën e tij, e ndal veturën në një trotuar dhe ik nga aty duke mos i dhënë ndihmën e nevojshme e ndërkohë viktima gjendet e vdekur në atë vend. Me këto veprime i pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale mosdhënia e ndihmës. Të pandehurit R.A. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, ka njoftuar Gjykata e Pejës. I.O.