Një zyrtar policor është therur me thikë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë, në mesditën e së martës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin duke treguar se lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar, ndërsa gjendja shëndetësore e zyrtarit policor, sipas ekipit mjekësor, është jashtë rrezikut për jetë.
“Sot rreth orës 11:55 në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’, ka ndodh një rast ku është sulmuar papritmas një zyrtar policor, i cili ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë (thikë)”, ka thënë për Koha.net Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës.
Ai ka bërë të ditur se zyrtari policor ka shpëtuar falë shkathtësive profesionale dhe ndihmës së një qytetari.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa rasti cilësohet ‘Vrasje në tentativë’. Hetuesit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të kuptuar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Policia.