Kronikë

Një muaj paraburgim për një burrë, i dyshuar për dhunë në familje

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 30 (tridhjetë) ditë, ndaj të pandehurit me iniciale H.M. nga fshati Malësi e Re, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhuna në familje, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 05.08.2019, nga ora 13:00 dhe do të zgjasë deri më datën 05.09.2019, transmeton Koha.net.

Në komunikatë tutje thuhet se paraburgimi i është caktuar të dyshuarit sepse, nga data e pavërtetuar, në vazhdimësi deri më datë 05.08.2019, në fshatin Malësi e Re – Komuna e Prizrenit, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare, i shkakton dhunë psikologjike dhe ekonomike brenda marrëdhënies familjare të dëmtuarës – nënës së tij, në atë mënyrë që i pandehuri në vazhdimësi e keqtrajton emocionalisht, e keqtrajton në mënyrë verbale duke e fyer, i shkakton ndjenjë të pasigurisë si dhe e kanos se do t’i shkaktojë ndonjë dëm duke e humbur vetëbesimin dhe ndjenjën e sigurisë tek e dëmtuara, si dhe paraqet agresivitet duke shkatërruar gjësende në shtëpinë e tij, gjë që e dëmtuara pas këtyre ndjenjave të pasigurisë raporton rastin në stacionin policor të Prizrenit.

Ekzekutimi i masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale H.M., do të bëhet në Klinikën e Institutit të Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, ashtu që i njëjti do të qëndrojë për aq kohë sa i nevojitet tretman mjekësor dhe në momentin kur pushojnë kushtet për të qenë i shtrirë do të transferohet në qendrën e paraburgimit, por që nuk e kalon afatin e paraparë të paraburgimit të caktuar sipas këtij aktvendimi.