Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj gjashtë personave për kontrabandë me narkotikë

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R me dyshimin për shpërndarje dhe shitje të narkotikëve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se në periudhën kohore nga 08.05.2019 – 22.07.2019, në qytetet e ndryshme të Kosovës në Pejë, Prizren, Prishtinë, Klinë, Ferizaj etj. duke bashkëvepruar me njëri – tjetrin, kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike që dyshohen të jenë të llojit kokainë dhe marihuanë në sasi të ndryshme, në atë mënyrë që të njëjtit paraprakisht janë marrë vesh mes vete, ku i pandehuri I.P ka siguruar përmes kanaleve të ndryshme substancën narkotike, e pastaj të njëjtën ua ka shpërndarë të pandehurve të tjerë, e këta të fundit e kanë shitur në sasi të vogla në tërë territorin e Kosovës.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Të pandehurve I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.