Dënohet me dy vjet e gjysmë burgim për vjedhje Foto: Koha / ilustrim

Dënohet me dy vjet e gjysmë burgim për vjedhje

31 July 2019 15:32

Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të pandehurit V.Gj. për tri vepra penale, “Vjedhja e rëndë”, “Grabitja” e mbetur në tentativë, dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

I pandehuri V.Gj. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej dy (2) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim të unifikuar me të holla, në shumën prej nëntëqind (900) euro, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 26 nëntor 2018.

I pandehuri është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej njëzet e pesë (25) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë (25) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurit V. Gj., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri gjatë zhvillimit të procedurës, i pandehuri i ka kryer tri veprat penale që i vihen në barrë.

I pandehuri akuzohet se në nëntor të vitit 2018, në Gjakovë, në pompën e derivateve “B-. B.” me përdorim të forcës, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore, ka tentuar të përvetësojë paratë që i kishte pasur në kuletë shitësi i derivateve. Derisa i pandehuri e kishte përvetësuar kuletën me para nga i dëmtuarin (shitësin e derivateve) dhe kishte tentuar të largohej, i dëmtuari e kishte penguar, duke u përleshur fizikisht, deri sa kishte arritur që ta kthente kuletën me para nga i pandehuri për të lajmëruar policinë më pas.

Po ashtu, në nëntor të vitit 2018, në Gjakovë, i pandehuri V. Gj. futet në shtëpinë e të dëmtuarit Sh. B. duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur i dëmtuari nuk ishte në shtëpi, me forcë hapë derën hyrëse e cila ishte e mbyllur me dry, përvetëson disa gjësende të cilat i dërgon për t’i shitur në hekurishte.

Të pandehurit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme