Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave, pas vdekjes tragjike të dy të rinjve në autostradën “Ibrahim Rugova”

Foto: Koha

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet Sh.S., M.M. dhe B.B, për shkak të vdekjes që ndodhi javë më parë në autostradën “Ibrahim Rugova” të dy të rinjve, punëtorë në një kompanie autobusësh.

LEXO EDHE: Si ndodhi aksidenti tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova” ku mbetën të vdekur dy persona

Sipas aktakuzës, me datë 29.06.2019 pas mesnatës në Autostradën “ Ibrahim Rugova “ tek ura, në afërsi të fshatit Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, të akuzuarit nga pakujdesia shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve e që ka rezultuar me vdekjen e dy personave.

“Të pandehurit, si vozitës dhe punëtorë të kompanisë “Sharr Travel”, ndalin autobusët në vendin kritik, për të bërë shkëmbimin e telefonave mobil dhe disa lista të udhëtarëve. Fillimisht ndalet i pandehuri Sh.S., i cili ishte nisur nga Prishtina në drejtim të Shqipërisë, kurse i pandehuri B.B., ndalet nga ana e kundërt. I pari nga autobusi i të pandehurit Sh.S., del i ndjeri G.G., për ta trupuar trasenë, ku bie poshtë. Në ndërkohë, vie me autobus nga kahja e njëjtë i pandehuri M.M., ku nga autobusi del i ndjeri A.B., ku bie poshtë urës në hapësirën e pa mbuluar në mes të dy kaheve që ndajnë autostradën”, thuhet në raport.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPR-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.