Është ndaluar për 48 orë në mbajtje, një person që dyshohet se duke ushtruar profesionin e “mjekut popullor” kishte përvetësuar nga viktima 6000 euro dhe e kishte shantazhuar duke ia kërkuar 30 mijë euro.
Në një njoftim nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se M.Z., i lindur më 1962, mashkull, nga Malisheva, duke ushtruar profesionin e “mjekut popullor” kishte përvetësuar rreth 6 mijë euro nga ankuesja, si shpërblim për gjoja ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj saj.
I dyshuari paraqitej se shëronte sëmundje të ndryshme (shërim shpirtëror, rregullim të problemeve familjare etj), thuhet në njoftimin e policisë.
“I dyshuari, pas një kohe, duke shfrytëzuar të dhënat e mësuara nga ankuesja gjatë ‘seancave për shërim’, i mbështetur edhe nga bashkëshortja e tij, kishte filluar ta shantazhojë dhe ta kërcënojë ankuesen se do t’ia shkatërronte familjen nëse nuk i sjell një shumë prej tridhjetë mijë (30.000) euro. Policia, ka kërkuar nga gjykata leje për kontroll të cilën e ka siguruar dhe e njëjta është realizuar sot, më 16.07.2019, ku është kontrolluar lokali ku ka ushtruar ‘profesionin’ dhe shtëpia e të dyshuarit në Malishevë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore. Po ashtu policia ka siguruar të dhëna se i dyshuari ka zhvilluar edhe aktivitet të veterinarisë”, ka njoftuar policia.
Policia më tej ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes ndaj këtyre formave të mashtrimit. Sipas gjetjeve, policia ka thënë se viktima të mashtrimit mund të jenë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve. Policia ka apeluar që nëse ka viktima të tjera të kësaj natyre, të lajmërojnë policinë.