Kronikë

Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte

Foto: Driton Paçarada / Koha

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj., nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë”, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”

Sipas njoftimit, i pandehuri Z.Dj., gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të nacionalitetit serbë, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor/shëndetit, aplikim i masave të frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje e një qyteti ose e një vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejtë në konflikt.

“Duke bashkëvepruar me personat, deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht si dhe i kanë vrarë”, thuhet në njoftim.