Kronikë

Ish-Kryeprokurori i Speciales Reshat Millaku, tani avokat mbrojtës i Currit

Reshat Millaku, i cili deri para disa javësh kur është pensionuar ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, do ta mbrojë në procedurë penale të dyshuarin për fajde, detyrim e mashtrim, Ismet Osmanin-Currin.

“Koha Ditore” ka prova të tilla si procesverbale, dokumente e raporte informuese që Millaku në cilësinë e kryeprokurorit të prokurorisë kryesore në vend ka qenë i informuar nga hetuesit për dyshimet e aktivitetit kriminal të një pjese të të dyshuarve të këtij grupi. Sipas këtyre provave, Millaku sa ka qenë kryeprokuror, rastin nuk e ka proceduar për hetim të mëtutjeshëm në Prokurorinë që e ka drejtuar. Ish-kryeprokurori që është pensionuar në muajin e kaluar tash do ta mbrojë njërin nga të dyshuarit.

I kontaktuar nga gazeta, Millaku nuk e ka cilësuar konflikt interesi ta mbrojë Currin.

“Nuk është konflikt interesi sepse Ismet Osmani nuk është hetuar nga Prokuroria Speciale”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka pranuar raport informues me dyshimet për veprime kriminale të disa nga të dyshuarve në këtë grup, Millaku e ka pranuar, megjithatë ka deklaruar se “aty nuk ka nisur hetim, ka pasur vetëm raport informues”.