Kronikë

Policia me aksion në veri, has në rezistencë të armatosur e arreston disa persona

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në bashkëpunim me Inspektoratin Policor është duke realizuar një operacion në veri të vendit që ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Sipas njoftimit nga Policia, këtij operacioni i ka paraprirë një hetim disamujorë i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, që ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve në “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Policia ka thënë se ka has në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, por operacioni është duke vazhduar, “përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Sipas Kosovapressit, të paktën pesë persona janë arrestuar deri tash. Raportohet po ashtu se në aksion po kërkohen edhe të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberi e Oliver Ivanoviqit.

Policia ka bërë të ditur se për detajet do të njoftojë më vonë.