Dyshohet për eksploziv në KGJK dhe Prokurori Speciale të Kosovës Foto: Koha

KGJK-ja ka pranuar tri telefonata kërcënuese me bombë – Policia s’ka gjetur asgjë të dyshimtë

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 24 May 2019 11:22
17:11

Policia e Kosovës nga Rajoni i Prishtinës, ka njoftuar zyrtarisht se sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri thirrje telefonike.

Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë, konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës. Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve”, bën me dije Policia, raporton Koha.net.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e tij dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë.

15:11

Hapet për qarkullim rruga “Luan Haradinaj”

Pas disa orëve mbyllje Policia e Kosovës ka hapur sërish për qarkullim rrugën Luan Haradinaj dhe një pjesë të sheshit, raporton KTV.

Një kërcënim me bombë për në hapësirat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës ka alarmuar sot Policinë e Kosovës, e cila kishte evakuuar sot të dyja objektet.

Nuk raportohet se është gjetur ndonjë objekt shpërthyes me këtë rast.

13:46

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale jep detajet për kërcënimet me bombë

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiaj ka thënë se nuk kanë informata të tjera, përveç që kanë pranuar telefonaë në KGJK për kërcënimin me bombë, raporton KTV.

Sipas tij aty është përmendur Gjykata Speciale, dhe pasi nuk ka Gjykatë Speciale është pretenduar se është për Prokurorinë.

Ai ka thënë se pas marrjes së informacioneve menjëherë stafi është evakuuar.

12:45

Policia jep detajet për kërcënimin me bombë në KGJK dhe Prokurorinë Speciale

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tash nuk ka në shënjestër asnjë person të dyshuar për kërcënimin që është bërë për mjet eksploziv në dy objekte në rrugën ‘Luan Haradinaj’.

Ka mjaftuar një telefonatë mëngjesin e sotëm, që të mobilizojë Policinë e Kosovës për të kërkuar mjetin e dyshimtë për të cilin është raportuar nga një person, përmes telefonit.

Komandanti i Stacionit Qendra, Shkelzen Xhafa, tha se janë duke hulumtuar për të gjetur personin që ka kërcënuar përmes telefonit, transmeton KP.

Në një prononcim për media, Xhafa tha se më vonë, Policia e Kosovë do të dalë me një komunikatë për media.

"Ju njoftojmë që rreth orës 10:30, Stacioni Policor Qendra, ka marrë një thirrje telefonike për një dyshim të mundshëm për një mjet eksploziv në dy ndërtesa në rrugën ‘Luan Haradinaj’. Posa kemi marrë informatë, Stacioni Qendra ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ka evakuar të gjithë personelin që ka qenë brenda dhe i kemi thirrë të gjitha njësitet relevante të cilat merren me këso raste të kërcënimeve", tha ai.

Ai theksoi se deri më tash nuk ka asnjë të dyshuar për rastin në fjalë.

"Për momentin nuk ka ndonjë person të dyshuar, do të thotë është vetëm një kërcënim që është bërë përmes një telefonate dhe ne si Polici e Kosovës, çdo kërcënim e trajtojmë me seriozitet", tha ai.

Xhafa shtoi se më vonë Policia e Kosovës do të jap detaje lidhur me këtë rast.

KTV-ja raporton se njësitet e Policisë kanë dalë nga objekti i KGJK-së.

Ekipet deminuese të Policisë janë duke vazhduar bastisjen me qenë në objektin e Prokurorisë Speciale.

Image
Image
11:22

Dyshohet për eksploziv në KGJK dhe Prokurori Speciale të Kosovës

Në hapësirat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe në Prokurorinë Speciale dyshohet të ketë eksploziv.

Lajmin e kanë konfirmuar burime të Koha.net ndërkaq e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti tha për Koha.net se janë duke e trajtuar këtë informatë që e kanë marrë në orën 10:30, por ende s’kanë detaje tjera.

Me këtë rast policia ka bllokuar rrugën "Edit Durham". 

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme