Kronikë

30 ditë paraburgim për tentim vrasje në Prizren

Një muaj paraburgim i është caktuar një të dyshuarit për tentim vrasje në Prizren.

Përmes një komunikate për media Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda bën të ditur se duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 30 (tridhjetë) ditë, ndaj të pandehurit me iniciale A.H. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 par.1. nën para. 1.5. lidhur me nenin 28. të KPRK-së.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 22.05.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 20.06.2019, transmeton Koha.net.

Tutje thuhet se i arrestuari me datën 22.05.2019, rreth orës 08:00 në Prizren me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin me iniciale B.S. duke i vënë në rrezik jetën edhe të personave tjerë, në atë mënyrë që për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të objektit banesor në kompleksin “Euro Center” që është afër shtëpisë së tij- rreth hapjes së dritareve në pamje nga shtëpia e tij, shkon në ndërtesën në ndërtim e sipër në katin e shtatë ku ishin duke punuar punëtorët, dhe nga ata kërkon ndërprerjen e punimeve.

Pasi ata i ndërprenë punimet, i pandehuri me armë zjarri – pistoletë, shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit me iniciale B.S. të cilën me një plumb e qëllon në këmbë, dhe derisa punëtorët tjerë ikin duke zbritur shkallëve, shtënë në drejtim të tyre, duke ua rrezikuar jetën edhe punëtorëve tjerë.