Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.Z i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe të pandehurit G.H, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.
Sipas njoftimit, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, pranimit të fajësisë nga të pandehurit për veprat penale me të cilën e ngarkon akuza, të pandehurin B.Z për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë vjet, për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti. Ndërsa të pandehurin G.H për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë nga i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një vit e gjashtë muaj.
“I pandehuri B.Z, i ndihmuar nga i pandehuri G.H akuzohen se më 22 prill 2018 në Ferizajt, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, i mitur V.G, pasi i njëjti kishte mosmarrëveshje të mëhershme me vëllanë e të pandehurit. I dëmtuari derisa ishte duke pirë kafe në tersen e lokalit, i pandehuri me ta vërejtur niset në drejtim të tij me revole në dorë, i dëmtuari fillon të ikë futet brenda në lokal dhe e mbyll derën duke e mbajtur me duar, me të rast i pandehuri fillimisht tenton ta hapë derën me që nuk arrin ka shtënë me armë dy herë në drejtim të derës, mbrapa së cilës ishte i dëmtuari dhe si pasojë e të shtënave i njëjti është goditur me një predhë në fyt”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.