Dënohet me 17 vjet burgim për “shtytje në vrasje”, i dyshuari në arrati

Dënohet me 17 vjet burgim për “shtytje në vrasje”, i dyshuari në arrati

16 April 2019 16:11

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.A për veprat penale “Shtytje në vrasje të rëndë” nga neni 179 par.1 pika 1.5 lidhur me nenin 32 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“I akuzuari A.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues i konfiskimit të armës si mjet i kryerjes së veprës penale”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjykata tutje thotë se ka vërtetuar se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit A.A., në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike kemi të bëjmë me veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë” e jo me veprën penale “Vrasje të rëndë” të kryer në bashkëkryerje me të pandehurin A.V. i cili gjendet në arrati. Gjykata është e bindur se ka vërtetuar se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e të pandehurit A.V dhe pasojat e shkaktuara janë si rezultat i shtytjes nga ana e të akuzuarit A.A.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt civilo-juridik.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme