Kronikë

Vetëm gjatë marsit Policia shqiptoi 182 fletëparaqitje ndaj shoferëve nën ndikim të alkoolit

Policia e Kosovës është duke vazhduar me aktivitete të cilat kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor, si dhe uljen e aksidenteve të trafikut.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se njësitë policore, përveç pikave të rregullta të kontrollit të automjeteve dhe patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar edhe në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor, transmeton Koha.net.

“Vetëm gjatë muajit mars nga njësitë policore, janë shqiptuar gjithsej 182 fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj shoferëve nën ndikim të alkoolit, të cilëve përveç gjobës në të holla, iu është shqiptuar masa mbrojtëse ‘ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik’ , si dhe u janë shqiptuar pikë negative dhe të njëjtit janë larguar nga trafiku”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut, do të vazhdojë të aplikojë masa ligjore të cilat do të shërbejnë si masa parandaluese .