Kronikë

Një mjek në Gjakovë kërcënohet me jetë nga familjarët e një pacienteje që vdiq në QKUK

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) përmes një komunikate për media sot ka njoftuar se në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë është kërcënuar me jetë mjeku S. B. nga ana e familjarëve të një pacienteje, të cilës i ishte konstatuar vdekja në QKUK.

OMK dënon ashpër kanosjen ndaj mjekut dhe kërkon nga organet e ndjekjes të trajtojnë rastin me seriozitet.

“Kryerja e veprave penale të tilla, siç është kanosja ndaj personit zyrtar, në këtë rast mjekut, i cili në cilindo rast nuk mund të ketë përgjegjësi absolute lidhur me jetën apo vdekjen e personit, është tregues që shoqëria jonë ende është e ngulfatur me paragjykime, të cilat kanë konsekuencë veprimet e tilla kriminale”, thuhet në reagim.

OMK bën me dije se mbështet protestën e paralajmëruar nga punëtorët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës kundër kriminalitetit të ushtruar ndaj mjekëve gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore.