Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.Gj. shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale të parapara me Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata thotë se i pandehuri A.Gj. dyshohet se më 12 mars 2019 rreth orës 18:30 në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B. dhe ka rrezikuar jetën e personave tjerë të pranishëm A.N., Z.K. dhe L.B., ku si shkak i këtyre veprimeve dyshohet të jetë një mosmarrëveshje pronësore që i ndjeri T.B. kishte me të pandehurin.
“Po ashtu i pandehuri A.Gj. dyshohet se i shkaktoi lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.N. në atë mënyrë që i dëmtuari A.N., me qëllim që ta ndaloj të pandehurin, i del përpara me ç’rast i njëjti shkrep një plumb në drejtim të të dëmtuarit duke e goditur në këmbën e majte dhe pasi i dëmtuari rrëzohet në tokë e sulmon me kondak të pushkës në kokë duke i shkakton lëndime të rënda trupore”, thotë Gjykata Themelore e Gjakovës.
Me këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri A.Gj. dyshohet se i ka kryer tri vepra penale, “vrasje e rëndë”, “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 12 mars 2019 dhe do të zgjasë deri më 11 prill 2019.
Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë dhe e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.