Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar të premten se Departamenti për Krime të Rënda i kësaj prokurorie ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve, A.N., M.P., Xh.Th., dhe S.G., për veprën penale “Grabitje”, nga neni 329, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës shkruan sot Koha Ditore.
Sipas aktakuzës, me datën 30 nëntor të vitit 2017 dhe datën 15 prill të vitit 2018, katër të pandehurit, A.N., M.P., Xh.Th., dhe S.G., në bashkëkryerje kishin grabitur dy herë një depo të materialeve ndërtimore, pronë e të dëmtuarit V.M., në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit.
Në rastin e datës 30 nëntor të vitit 2017, sipas Prokurorisë, katër të pandehurit, në bashkëkryerje duke hyrë në depon e materialeve ndërtimore “Lira-M”, të maskuar dhe të armatosur, fillimisht e shtrinë përtokë rojën e depos, të dëmtuarit B.SH. arrijnë t’ia marrin shumën prej 2 mijë eurosh dhe një qafore të arit në vlerë prej 800 eurosh, e ku me pas të dëmtuarit në fjalë ia lidhin duart pas shpinës dhe me çelës ia mbyllin derën e depos dhe largohen nga vendi i ngjarjes. Kurse, në rastin e datës 15 prill të vitit 2018, sipas aktakuzës, katër të pandehurit, A.N., M.P., Xh.Th., dhe S.G., në bashkëkryerje të pajisur me maska në fytyrë dhe armë, në të njëjtën depo të materialeve ndërtimore, pasi hyjnë brenda depos së lartcekur, e godasin dhe e lidhin rojën e depos, të dëmtuarin Xh.Z., ku me pas arrijnë të marrin shumën e të hollave prej 300 eurosh dhe disa pajisje tjera në vlerë prej 200 eurosh.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale, e cila u vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.