Kronikë

Nga 1 vit burgim dhe gjobë bashkëshortëve që shantazhuan mjekun në Gjilan

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit M.K. dhe akuzuarës F. K., duke i shqiptuar dënim me nga një vit burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 euro.

Të akuzuarit (bashkëshort), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, e kanë shantazhuar të dëmtuarin E. E., se nëse nuk u jep i njëjti të hollat në shumën prej 5.000 Euro, ata do të zbulojnë një videoincizim i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e tij.

Me këto veprime, Gjykata thotë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “shantazh” nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 35 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton Koha.net.

Gjithashtu detyrohet i akuzuari M. K., që në emër të kërkesës pasurore juridike, kompensimin e dëmit në shumën e të hollave prej 1.000 Euro t’ia paguaj të dëmtuarit E. E.

Rasti kishte ndodhur në muajin nëntor kur e dyshuara kishte shkuar në ordinancën e të dëmtuarit, doktorit E.E. kinse për t’u kontrolluar, pastaj iu ishte afruar duke e prekur në pjesë të ndryshme të trupit, dhe gjithë këtë e kishte incizuar me video.

Ndërsa, siç pati thënë më herët Prokuroria, edhe një person i tretë ka qenë i përfshirë në rast, i dyshuari B.K., i cili, me dashje u ka ofruar ndihmë në kryerjen e veprës penale të dyshuarve të sipërshënuar, duke iu ofruar automjetin dhe telefonin e tij, me ç’rast për këto shërbime kishte marrë 100 euro. Por i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt.

Në këtë mënyrë i njëjti ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Shantazhi”, nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.