Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.K. dhe M.K., për shkak të veprës penale “Shantazhi” nga neni 341 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas një komunikate për media bëhet e ditur se, “sipas aktakuzës, më 14 nëntor 2018, në ordinancën e Pulmologjisë, në Spitalin Regjional në Gjilan, e pandehura F.K., me dashje ka ndërmarrë veprime për të kryer këtë vepër penale, në atë mënyrë që fillimisht shkon në ordinancën e të dëmtuarit E.E., për t’u kontrolluar, pastaj e provokon duke e prekur në pjesë intime dhe veprimet e saj i incizon me telefon, të cilin incizim pastaj ia jep bashkëshortit të saj”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Më tutje thuhet se i pandehuri M.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fizikisht dhe përmes telefonit, e ka kanosur të dëmtuarin, se nëse ai nuk ia jep 2.000 (dymijë) euro, i njëjti do t’ia zbulonte një video incizim, i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e të dëmtuarit, me ç’rast fillimisht ia merr 1.000 (njëmijë) euro, e më pas i kërkon edhe pjesën tjetër të të hollave, e që të njëjtat i dëmtuari ia jep më 19 nëntor 2018, në një kafiteri, ku edhe kapet në flagrancë së bashku me bashkëshorten e tij, nga ana e zyrtarëve policorë.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata, që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale, e cila iu vihet në barrë dhe të njëjtëve t’iu shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.