Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.A.
Sipas aktakuzës, më 22 shtator 2018, në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, i pandehuri ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.S., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje në komunikacion, i pandehuri fillimisht e godet me grushte të dëmtuarin, pastaj ka shtënë me armë zjarri 4 (katër) herë në drejtim të tij, me ç’rast dy plumba bien në xhamin e parë të veturës por nuk depërtojnë te i dëmtuari dhe pas kësaj i njëjti me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Me ketë veprime, Gjykata thotë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
“Gjithashtu, i pandehuri ka mbajtë në pronësi, kontroll dhe posedim, pa autorizim dhe leje përkatëse armë zjarri dhe një karikator, të cilat edhe iu janë konfiskuar, me ç’rast ka kryer edhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’”, thotë më tej Gjykata.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor për këto vepra penale dhe t’i shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.