Kronikë

Për kanosje dhe grabitje të 210 eurove, 3 vjet burgim e 1000 euro gjobë

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.S.

Të pandehurin B.S, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 1.000 (njëmijë) €, të cilën shumë i pandehuri obligohet që ta paguaj në afat prej 3 muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I njëjti është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor ta paguaj shumën prej 50 (pesëdhjetë) € si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj.

I pandehuri B.S shpall fajtor për shkak se:

“Me datë 04.10.2015, rreth orës 21:25 min, në fshatin Studenicë, Komuna Istog, në kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që t’i sjell vetes dobi pasurore të kundërligjshme në atë mënyrë që, derisa i dëmtuari I.B ishte duke qarkulluar me automjetin e tij së bashku me të dëmtuarën Q.D, në drejtim të fshatit Radavc, me të arritur në kthesën e parë të rrugës, i pandehuri pasi i del i pari automjetit dhe me pistoletën e tij e detyron të dëmtuarin I.B ta kthej automjetin në krahun e djathtë dhe ta fus në një rrugicë dytësore dhe të del nga vetura duke ju drejtuar me fjalët “krejt paret çka i ki në kuletë nxirri dhe mi jep” me ç’rast i dëmtuari i nxjerr të hollat në shumë prej 210 (dyqindedhjetë) euro, të cilat pasi i pandehuri i merr largohet nga vendi i ngjarjes “

Me çka i pandehuri B.S ka kryer veprën penale grabitje.

“Me datë 04.10.2015, rreth orës 21:25 min, në fshatin Studenicë, Komuna Istog, ka mbajtur në posedim armë në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që arma e gjetur tek i pandehuri e përdorur për kryerjen e veprës penale“

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.