Kronikë

Merr flakë parku i Gërmisë, zjarrfikësit në vend të ngjarjes

Parku i Gërmisë është prëfshirë nga një zjarr, i cili është lokalizuar tashmë nga njësitetet e zjarrfikjes.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se zjarri në parkun e Gërmisë është raportuar rreth orës 17:00.

Në një përgjigje për Koha.net, Ahmeti ka thënë se zjarri është lokalizuar menjëherë dhe nuk ka qenë me rrezik siç është raportuar në media.

Ajo u shpreh se janë djegur vetëm disa shkurre e të ngjashme, ndërsa theksoi se nuk ka të lënduar.

Fatime Hajdari, drejtoreshë për Parqe në Komunën e Prishtinës, ka thënë se zjarri është lokalizuar, por ka shtuar se nuk e di saktësisht se çka e ka shkaktuar këtë zjarr.

Ajo dyshon se mund të ketë ardhur si pasojë e vrapuesve apo kalimtarëve nga pakujdesia, pasi, siç thotë ajo, ndezja e parqeve aktualisht është shumë e lehtë pasi ka shumë thatësi.

“Tash jemi pak më të qetë pasi zjarri i madh është lokalizuar, ndonëse u duk se mund të jetë i përmasave më të mëdha”, ka thënë ajo për RTV21.