Kronikë

Qindra kg kokainë e marihuanë nga Kolumbia e Shqipëria, dënohet banda shqiptare në Zvicër

Një grup shqiptaro-zviceran i përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të drogës është dënuar nga Gjykata Penale e La Chaux-de-Fonds në Zvicër. “Kapoja” e bandës është dënuar me 8 vite burg, për trafikun e kokainës dhe marihuanës.

Kundër tre të pandehurve të tjerë, Gjykata ka lëshuar respektivisht një dënim prej 33 muajsh dhe dy dënime me kusht.

Katër të dënuarit, 3 nga Kosova dhe një banor vendas, u shpallën fajtorë për trafik ndërkombëtar të drogës.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit kanë trafikuar lëndë narkotike midis majit 2011 dhe shtatorit 2015, duke trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Evropë, si dhe duke transportuar qindra kilogramë marihuanë nga Shqipëria dhe Kosova, shkruan “Oranews”.

Droga fshihej në mesin e mallrave të ligjshme të transportuara në kontejnerë nga deti dhe nga ajri. Kryesisht, droga fshihej në ngarkesa me lule, asparagus, kërpudha, karkaleca, fileto apo mobilje.

Të katër persona u arrestuan në vitin 2015 pas një hetimi të gjatë. Procesi i shekullit në kantonin Neuchâtel sipas shtypit lokal, u hap të hënën dhe u zhvillua nën mbikëqyrje të rreptë policore.

Yves Grandjean, avokati kryesor i të pandehurit, një kosovar 51 vjeçar ka paralajmëruar se do të dërgojë çështjen në Apel e deri në Gjykatën Federale nëse është e nevojshme. Avokati kishte kërkuar një dënim maksimal prej 3 vjet burgim për klientin e tij.

Për Gjykatën, burri arriti të trafikojë një sasi prej 216 kilogram marihuanë.

Nga ana tjetër, organi i hetimit kërkoi dënimin me 15 vite burg për kosovarin, duke paralajmëruar gjithashtu ankimim të dënimit.

I akuzuari i dytë, një kosovar 58-vjeçar, u dënua me 33 muaj burg, i cili është liruar për shkak të qëndrimit të gjatë në paraburgim.

I pandehuri i tretë, 43 vjeç, edhe ai nga Kosova u dënua gjithashtu me 33 muaj burg, ndërsa prokurori kërkoi 5 vite burgim.