Rastet e dhunës në familje po rriten vazhdimisht Foto: Ilustrim

Rastet e dhunës në familje po rriten vazhdimisht

25 shtator 2018 10:22

Statistikat mbi dhunën në familje tregojnë se numri i rasteve të tilla po rritet nga viti në vit.

Janë bërë dhjetë vjet që nga hyrja në fuqi e Ligjit për ndalimin e dhunës në familje. Nga viti 2008 e deri sot, më shumë se 15 gra janë vrarë, mbi 20 mijë të tjera kanë raportuar dhunë në familje, ndërsa më shumë se 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme.

Statistikat mbi dhunën në familje tregojnë se numri i rasteve të dhunës në familje po rritet nga viti në vit. E pikërisht dhuna ka qenë edhe shkaku kryesor që disa nga këto raste kanë përfunduar me fatalitet.

Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 janë evidentuar 628 raste. Ndërkaq, çdo paraqitje në polici trajtohet në bazë të procedurave dhe të njëjtat procedohen në organet e drejtësisë.

Kapitene Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje në kuadër të Policisë së Kosovës, për Radio Kosovën thotë se gratë janë vetëdijesuar dhe po i raportojnë rastet e dhunës.

“Nuk ka asnjë raportim i një viktime, e sidomos i gruas që thotë se i ka ndodhur dhunë për herë të parë dhe për këtë i jam drejtuar Policisë së Kosovës”, deklaroi Haxholli.

Megjithatë janë raste të shumta kur drejtësia nuk ka arritur t’i mbrojë gratë, pasi ato, edhe pse kanë hapur rastet, janë bërë viktimë e burrave të tyre, thotë Haxholli.

“Në këtë gjashtëmujor ndoshta edhe me vite të tëra nuk kemi pasur një numër kaq të madh të vrasjeve. Brenda familjes janë 6-7 raste”, shtoi ajo.

Çdo vit ka rritje për 100 raste të lajmërimit të dhunës në familje.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme