Kronikë

Dëshmitarët thonë se vrasja e 22-vjeçarit në Bresalc ndodhi aksidentalisht, po hetohen motivet

Fatlind Arifi -22 vjeç, është vrarë rreth orës 23:00 në mbrëmjen e së shtunës në Fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit, raporton KTV.

Ai dyshohet se është vrarë nga bashkëfshatari i tij L.U. i moshës 26-vjeçare.

L.R. e kishte qëlluar me revole, duke i shkaktuar plagë në gjoks, por Fatlindi nuk kishte arritur t’u rezistonte dhe në Spitalin e Gjilanit, ka mbërritur pa shenja jete.

Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të cilët nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kanë treguar se vrasja ka ndodhur aksidentalisht.

Ngjarja ka ndodhur pran këtij lapidari që gjendet në qendër të fshatit. Bashkëfshatarët kanë treguar se dorasi ua kishte drejtuar armën në shenjë loje të gjithë të pranishmëve por si pasojë kishte shtënë në drejtim të viktimës.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se kanë arritur ta arrestojnë personin e dyshuar gjatë ditës së diel, pasi i njëjti kishte tentuar të ikte.

Po ashtu, njofton se janë intervistuar edhe gjashtë persona të tjerë lidhur me këtë rast.

“F.A ishte sjellë i plagosur në gjoks nga arma e zjarrit, personeli mjekësor edhe për kundër ndihmës së parë mjekësore, kanë mundur vetëm ta konstatojnë se viktima ishte pa shenja jete. Gjatë ditës së diel, i dyshuari kryesor L.U është arrestuar për veprën penale “vrasje e rëndë”. Po ashtu është gjetur një revole me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Lidhur me këtë, është arrestuar edhe SH.U. vëllai i të dyshuarit që besohet të jetë i përfshirë në këtë vepër penale. Derisa motivet nuk dihen ende”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

I dyshuari për vrasjen e 22-vjeçarit është i njohur për vepra të ndryshme penale.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan i kanë thënë KTV-së se ai ka qenë i akuzuar dhe dënuar për tentim vrasjeje, por që në vuajtje te dënimit nuk ka shkuar, për shkak se aktgjykimi ende nuk ka arritur plotfuqishmërinë.

Po ashtu, kanë treguar se L.U. ka pasur edhe lëndë të tjera në këtë Gjykatë.