Kronikë

Policia ia merr lejen 21-vjeçarit që “fluturonte” te “Fusha e Pajtimit” në Kaçanik

Policia e Kosovës ia ka marrë patentë-shoferin një 21-vjeçari që po voziste në Kaçanik me shpejtësi 105 kilometra për orë në një rrugë që ishte në zonë të kufizuar të vozitjes prej 40 kilometrash për orë.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur pasditen e së shtunës në magjistralen Ferizaj-Kaçanik tek vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit”.

Shoferit E.K. i është shqiptuar gjobë 300 euro, i janë dhënë tre pikë negative dhe i është hequr e drejta e vozitjes për tre muaj.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka apeluar për respektim të shenjave të komunikacionit.

“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”, thuhet në apelin e Policisë.