Kronikë

IPK-ja arreston një polic trafiku në Gjakovë për marrje të ryshfetit

Policia e Kosoves

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar të premten një zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Hetuesit e IPK-së kishin filluar hetimin mbi rastin pasi pranuan informacionet se zyrtari kishte pranuar 1000 euro për të plotësuar dy vendime kundërvajtjeje të rreme.

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë një zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor - Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë, kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve”, ka njoftuar IPK.

Në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja ka arrestuar edhe qytetarin e dyshuar për dhënie të ryshfetit. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.