Një 29-vjeçar ka vdekur të hënën në Prishtinë, rreth një orë pasi është gjetur i lënduar, i shtrirë në rrugë.
Policia ka njoftuar se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar (shtrirë në rrugë), në lagjen Emshir në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët e kanë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ku rreth orës 11:00, kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull , 29 vjeç”, ka bërë të ditur për KOHËN, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Sipas saj, Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.