1 perditesime
10:17

Vdekja e punëtorit në Prizren, dyshohet se i ra një pako e qeramikave në kokë

Të shtunën ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vend pune një punonjës. Punonjësi vdiq në QKUK. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë se bazuar në hetimet e para, dyshohet se punonjësit i ka rënë nga ballkoni i katit të dytë një pako e qeramikave në kokë.

“Sipas hetimeve të para thuhet se nga ballkoni i katit të dytë i ka rënë një pako me qeramika në kokë. Personi ka vdekur në QKUK për shkak të plagëve të marra në vendin e punës”, ka njoftuar Gashi për KOHËN.

Ai ka thënë se trupi është dërguar për obduksion në IML.

Është rasti i radhës që një punonjës vdes në vend pune. Në kohët e fundit janë regjistruar disa rasteve të vdekjes së punëtorëve në vende pune. Nga sindikatat ka pasur thirrje drejtuar institucioneve për t’u marrë me çështjen e sigurisë në vend pune.

08:46

Prizren, vdiq një punonjës si pasojë e lëndimeve të marra në vend pune

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka vdekur një person në QKUK në mëngjesin e të shtunës, si pasojë e lëndimeve që kishte marrë në vend pune në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se një punëtor ka marrë lëndime të rënda derisa po punonte.

Ai është dërguar në QKUK, ku nuk arriti t’u mbijetoj lëndimeve. Policia ka thënë se rasti po hetohet. Rasti është cilësuar “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

“Prizren 30.09.2023 – 09:08. Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovar përderisa kanë qenë duke punuar, njëri nga ta ka pësuar lëndime të rënda trupore, dhe për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Si pasoj e lëndimeve viktima ka ndërruar jetë në QKUK. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.