Kronikë

Ndalohet një mjek në QKUK, dyshohet se mori ryshfet

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka ndaluar një mjek të Qendrës Klinike universitare të Kosovës, i cili dyshohet se ka marr ryshfet.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria në koordinim me Policinë thuhet se është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka reaguar në Facebook, duke thënë se me shqetësim e kanë pranuar lajmin për arrestimin e mjekut. Ky institucion ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe raportim të parregullsive.