Dy persona janë lënduar në një përleshje në Zllatar të hënën, gjatë të cilës është përdorur edhe arma.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se dy të lënduarit kanë marrë tretman mjekësor.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se një nga personat është lënduar gjatë përleshjes, ndërsa i dyti është vetëplagosur me armë.
“Sot rreth orës 18:00, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Zllatar, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti. “Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona. Njëri nga personat dyshohet se është lënduar gjatë përleshjes fizike, ndërsa tjetri dyshohet se me armë zjarri është vetëplagosur. Të dy personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”.