Kronikë

Ndalohet menaxheri i një marketi në Gjilan, dyshohet se shkaktoi dëme afro 21 mijë euro

Arrestim

Arrestim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ka ndaluar një menaxher të kompanisë “Viva Fresh Store” në Gjilan.

Sipas Prokurorisë i ndaluari L.V. dyshohet se “duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë”, e ka dëmtuar kompaninë në vlerë afro 21 mijë euro.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës – Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, pas zhvillimit të veprimeve hetimore, ka ndaluar të dyshuarin L.V., punëtor në ndërmarrjen “Viva Fresh Store", në njësinë nr.2 në Gjilan. Ekziston dyshimi se i njëjti, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë, e ka dëmtuar kompaninë në vlerë financiare mbi 20,871.24 €. Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’, nga neni 330 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari L.V., me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ishte menaxher në “Viva Fresh Store”. Dyshimet janë se artikujt e blerë nga konsumatorët, fillimisht janë regjistruar nga i dyshuari, por për t’i përvetësuar paratë, “ai nuk ka printuar fare kuponë fiskalë”.

“I dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar nga Policia në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për vepër penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet nga Policia.