Kronikë

Zyrtari policor në Mitrovicë suspendohet për “incizim të paautorizuar”

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se një zyrtar policor në Mitrovicë të Jugut është suspenduar nën dyshimin për “fotografim apo incizim të paautorizuar”.

Bëhet fjalë për një zyrtar policor të njësisë së reagimit të shpejtë.

IPK-ja ka njoftuar se kanë nisur hetimet, ndërsa si pjesë e procedurës është suspenduar edhe polici.

“Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të këtij rasti në konsultim me prokurorin kompetent dhe në përputhje me autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, në një njoftim të shtunën në mbrëmje ka sqaruar se polici i suspenduar dyshohet se kishte shpërndarë videon e një të dyshuari të arrestuar së fundmi.