Kronikë

Djali e kërcënoi me vrasje nënën e tij në Prishtinë

Policia

Policia e Kosovës i ka regjistruar pesë raste të dhunës në familjes gjatë 24 orëve të fundit. Një person u arrestua në Prishtinë të hënën, me dyshimin se pasi iu kishte kërkuar para prindërve, i ka fyer dhe ofenduar, duke shkaktuar frikë te viktimat.

Autoritetet policore njoftuan se të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor në klinikën e psikiatrisë, por më pas është liruar mjeku, për t’u dërguar në mbajtje.

Policia njoftoi se në Prishtinë janë regjistruar edhe dy raste të tjera të dhunës më 10 prill. Në njërin rast, një grua ka raportuar se është kërcënuar me vrasje nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa, Policia njoftoi se një grua derisa po shkonte te ish-bashkëshorti për t’i ushqyer fëmijët, ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuar . Ajo ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari gjendet në arrati.

Në qytetin e Obiliqit, një grua dhe një burrë kanë shkaktuar dhunë në familje.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Policia bëri të ditur se edhe në Prizren është regjistruar një rast i dhunës në familje. Një grua u ankua se bashkëshorti e ka sulmuar fizikisht.

“Po ashtu viktima ka njoftuar se bashkëshorti i saj posedon edhe armë dhe municion. Njësitë relevante policore kanë gjetur dhe sekuestruar një AK47 me një karikator dhe 420 fishekë si dhe një revole me dy karikatorë dhe 176 fishekë. Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim policor, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.