Kronikë

Tetë persona arrestohen në Prishtinë, pasi u kapën duke luajtur bixhoz

Tetë persona janë arrestuar të hënën në mbrëmje në rrugën “1 Tetori” në Prishtinë, pasi janë kapur duke luajtur bixhoz.

Siç bëhet e ditur në raportin policor të së mërkurës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar letra bixhozi dhe çipa të cilat shërbejnë për të luajtur bixhoz.

Përveç tyre, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancave të dyshuara narkotike, që dyshohet te jetë e dy llojeve marihuanë dhe kokainë.

“Personat e dyshuar janë intervistuar, dhe u është inicuar rast për veprën, 'organizim i skemave piramidale dhe bixhozit', si dhe 'posedim të paautorizuar të substancave narkotike'. Me vendim të prokurorit të shtetit, shtatë nga personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që njëri prej të dyshuarve është dërguar në vuajtje të denimit, pasi ndaj tij kanë rezultuar aktive katër urdhëresa të gjykatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.