Kronikë

Dyshohet se fitoi tender në vlerë 155 mijë euro me dokument të falsifikuar, ndalohet për 48 orë

Paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ai A.K. dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar, siç thuhet, kinse të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, me të cilin dokument ka aplikuar dhe e ka fituar një tender publik në vitin 2021, në Komunën e Gjilanit, në vlerë prej 155 mijë eurove.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës - Njësinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve të dyshuarin A.K., për shkak të veprës penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, nga neni 415 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast kanë zgjatur disa muaj dhe se gjatë tyre janë sigurtuar disa dëshmi.

“I dyshuari me iniciale A.K. me rastin e ofertimit në tenderin ’Furnizim me material për zyre’ në Komunën e Gjilanit, kishte falsifikuar dhe dorëzuar referencën të lëshuar më herët në vitin 2021. Me këto referenca ai kishte implikuar Ministrinë e Forcës së Sigurisë kinse kishte lëshuar ketë referencë për kompaninë e tij. Me këto referenca i dyshuari kishte aplikuar në Komunën e Gjilanit në tenderin e lartshënuar duke fituar dhe firmosur kontratën me komunën e Gjilanit në vlerën 155 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me këto veprime ai dyshohet se ka konsumuar edhe veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.