Kronikë

Shtyhet seanca për 10 të akuzuarit për huliganizëm në protestën e Vetëvendosjes më 2013

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten e ka shtyrë seancën fillestare për dhjetë të akuzuar që dyshohen për huliganizëm gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2013.

Sipas Gjykatës, seanca është shtyrë për datën 29 mars, në ora 13:30, për shkak se sot mungonin gjashtë të pandehur.

Në seancë nuk u paraqiten të akuzuarit Dardan Molliqaj, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi. Ndërsa në seancë ishin Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Xhelal Sveçla dhe Afrim Hoxha.

“Për të gjithë të pranishmit ky njoftim përmes procesverbalit do të vlejë në vend të ftesave të rregullta, ndërsa për të pandehurit të cilët nuk kanë ardhur, gjykata nga Policia do të kërkojë njoftim lidhur me moszbatimin e disa prej urdhëresave dhe pastaj do të ndërmarrë veprime procedurale lidhur me sigurimin e tyre për seancën e radhës”, thuhet në vendimin e Gjykatës sot.

Të dyshuarit akuzohen se më datë 27 qershor të vitit 2013 në Prishtinë gjatë një proteste, me veprimet e tyre të dhunshme, huligane – duke hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe mjete piroteknike në drejtim të policisë, ku si pasojë katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale, përfshirë dëmtimin e veturave – kanë kryer secili veç e veç veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.