Një person i mitur është arrestuar të shtunën në Prishtinë, nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture në orët e vona të 3 dhjetorit.
Sipas Policisë, i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i cili edhe para rreth tre muajsh është regjistruar si “Vrasje në tentativë”, ka ndodhur për motive të panjohura.
Asnjë person nuk është lënduar, ndërsa ka pasur vetëm dëme materiale.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte me veturë në lëvizje së bashku me dy pasagjerë, nga një veturë tjetër po ashtu në lëvizje, për motive të panjohura një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, dhe me veturë është larguar në drejtim të panjohur. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e konfiskuar dy gëzhoja të cilat dyshohet se janë shkrepur në këtë rast. Të lënduar nuk ka, përveç dëmeve materiale, lidhur me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori”, thuhej në njoftimin e Policisë pasi ka ndodhur rasti.