Kronikë

Burri në Lipjan raportohet për dhunë në familje, i gjendet kallashnikovi me 94 fishekë

Një personi në Sllovi të Lipjanit, i cili dyshohej për dhunë në familje, i është gjetur një kallashnikov me tre karikatorë dhe 94 fishekë.

Në njoftimin e Policisë të shtunën thuhet se i dyshuari është raportuar për dhunë në familje dhe më pas policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij ku është gjetur armatimi.

“Në kuadër të veprimeve operative që po kryejnë zyrtarët policor të Rajonit të Prishtinës, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, mbrëmë nga zyrtarët e stacionit policor të Lipjanit, është arrestuar një person i dyshuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Arrestimi i personi të dyshuar për veprën dhunë në familje, është realizuar në fshatin Sllovi të Lipjanit. Pjesë e intervenimit në rast ka qenë edhe kontrolli i shtëpisë ku janë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri AK-47, tre karikatorë dhe 94 fishekë”, thuhet në njoftim.

Ndaj personit të dyshuar në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast për veprat dhunë në familje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendër të mbajtjes.